Shprehitë që zhvillojnë inteligjencën

1.Të mësoni një gjuhë të re

Të folurit e dy apo më shumë gjuhëve, i lejon trurit që të qëndrojë elastik, duke zhvilluar aftësi të zgjidhjes së problemeve dhe arsyetimit krijues. Por mbi të gjitha, mësimi i një gjuhe të ndryshme nga gjuha mëmë, vonon procesin e rënies së neuroneve: me fjalë të tjera, truri qëndron “i ri” për një kohë më të gjatë dhe mëson ta shohë botën nga pikëvështrime të pazakonte.

2.Të meditoni

Nga një studim i kryer nga profesori amerikan i psikologjisë dhe psikiatrisë, Richard Davidson, mbi aktivitetin e ndryshëm të trurit tek Dalai Lamat dhe disa murgj budistë, u zbulua se meditimi zhvillon disa funksione potencialë të trurit, që përndryshe do të mbeteshin të papërdorur. Në mënyrë të veçantë, përqëndrimi që arrihet duke medituar lejon kontrollin e disa gjendjeve shpirtërore si dhe zgjedhjen se cilët të përdorësh në një moment të caktuar, duke i dhënë atyre që praktikojnë këtë disiplinë, një vetëkontroll më të fortë mbi mendimet dhe emocionet.

3.Ushtrimet fizike

Dihet tashmë: të merresh me sport, ke efekte pozitive mbi mendjen dhe trupin, por vetëm nëse ushtrimet fizike bëhen në mënyrë konstante dhe jo sporadike. Në fakt është vërtetuar se përsëritja e seancave të lëvizjes rrit sasinë e neurotrofinës BDNF të pranishme në tru, më saktësisht në hipokampus. Kjo substancë është një proteinë thelbësore për jetën e disa neuroneve të sistemit nervor qendror dhe periferik, e cila ka meritën e përcaktimit të rritjes dhe diferencimit të neuroneve dhe sinapseve të reja. Nga ky efekt përfiton mbi të gjitha kujtesa jetëgjatë dhe aftësia e të kuptuarit dhe elaborimit të dijeve.

4.Leximi

Nuk ka rëndësi se çfarë po lexoni, e rëndësishme është të mos e humbni këtë zakon të shëndetshëm. Leximi i librave dhe gazetave është një prej armëve më të mira për të mbajtur aktiv trurin, si dhe për të forcuar aftësitë e intelektit. Në fakt kur lexoni, përveçse reduktoni shumë stresin e përditshëm, ju zhvilloni dhe imagjinatën dhe mësoni të kuptoni në mënyrë komplekse dhe të strukturuar, një seri gjërash, të cilat mund të kthehen e të jenë të dobishme në punë, apo në marrëdhëniet me të tjerët. Rezultati? Duke lexuar përmirësohen të tre llojet e inteligjencës: fluide (zgjidhja e problemeve), e kristalizuar (aftësia për të përdorur dijet dhe përvojat e pranishme tashmë në kujtesë) dhe sociale (aftësia për të krijuar lidhje dhe për të qenë të pajtueshëm shoqërisht).


5.Ushtrimi i mendjes

Kur formon një gjëzë apo kur vret mendjen për të zgjidhur atë Sudokun shumë të vështirë, nuk je duke humbur kohë të vyer, përkundrazi. Ushtrimi i trurit me këto lloje lojërash është i barabartë me pjesëmarrjen në seanca intensive gjimnastike. Efekti kryesor pozitiv i kësaj gjimnastike të trurit është zhvillimi i neuroplasticitetit, aftësia e sistemit nervor për të modifikuar intensitetin e sinapseve, prodhuar të reja dhe eleminuar të tjera. Niveleve më të lartë të neuroplasticitetit i korrespondon një aftësi më e mirë për të kuptuar, si dhe një mundësi më e vogël për të ndeshur në probleme depresioni dhe ankthi.

Shpërndaje me dikë që i duhet ky informacion!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *